Raporti: Shqipëria me taksë karboni zero në BE, çmimi i energjisë arrin 142 euro/MWh
Shqipëria ka kosto zero nga CBAM për eksportet e energjisë elektrike drejt BE-së, ndërsa çmimi mesatar në bursën vendase arriti në 142 euro/MWh në tremujorin e tretë të vitit 2026.

Shqipëria ka rezultuar me kosto orientuese zero nga Mekanizmi i Rregullimit të Karbonit në Kufij (CBAM) për energjinë elektrike të eksportuar drejt Bashkimit Europian, ndërsa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor përballen me kosto të përllogaritura që arrijnë deri në 94,5 euro për megavatorë (MWh).
Sipas raportit të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, “CBAM Quarterly Report 2026/3”, të publikuar më 30 tetor 2026, vlera standarde e emetimeve të karbonit për energjinë elektrike të importuar nga Shqipëria në BE është zero. Për rrjedhojë, edhe kostoja orientuese e CBAM për tremujorët e dytë dhe të tretë të vitit rezulton zero.
Në krahasim me Shqipërinë, kostoja orientuese për tremujorin e tretë arrin në 94,5 euro/MWh për Bosnjë-Hercegovinën, 85,7 euro/MWh për Serbinë, 81 euro/MWh për Kosovën, 80,6 euro/MWh për Malin e Zi dhe 73 euro/MWh për Maqedoninë e Veriut.
Përllogaritjet bazohen në vlerat standarde të emetimeve dhe çmimin e certifikatës CBAM, i cili gjatë tremujorit të tretë ishte 82,32 euro për ton ekuivalent CO₂, me një rritje prej 9,4% krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Sekretariati sqaron se këto vlera janë orientuese dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht detyrimet përfundimtare të operatorëve. Përdorimi i emetimeve reale në vend të vlerave standarde lejohet vetëm sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren europiane.
Çmimi i energjisë në Shqipëri rritet në 142 euro/MWh
Pavarësisht kostos orientuese zero nga CBAM, tregu shqiptar i energjisë regjistroi një nga rritjet më të mëdha të çmimeve në rajon gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026.
Çmimi mesatar në tregun e një dite përpara arriti në 142 euro/MWh, nga 88,6 euro/MWh në tremujorin e dytë, duke shënuar një rritje prej 53,4 euro/MWh.
Megjithatë, çmimi mesatar i energjisë në Shqipëri mbeti më i ulët se në Itali, ku arriti në 180,8 euro/MWh, dhe në Hungari, ku u regjistrua një mesatare prej 150,8 euro/MWh.
Në krahasim me Greqinë, energjia në tregun shqiptar rezultoi mesatarisht 9,6 euro/MWh më e shtrenjtë. Diferenca absolute e çmimeve ndërmjet dy tregjeve tejkaloi 20 euro/MWh në 62,8% të orëve gjatë tremujorit të tretë.
Konsumi i energjisë rritet me 12,2 për qind
Raporti evidenton gjithashtu rritjen e konsumit të energjisë elektrike në Shqipëri, i cili arriti në 2,20 teravatorë (TWh) gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, nga 1,96 TWh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kjo përfaqëson një rritje vjetore prej 12,2%, duke e renditur Shqipërinë, së bashku me Malin e Zi, ndër vendet me zgjerimin më të madh të konsumit të energjisë në Ballkanin Perëndimor.
Ndërkohë, aktiviteti tregtar në bursën e përbashkët të energjisë për Shqipërinë dhe Kosovën, ALPEX, vijoi të zgjerohej.
Vëllimet e tregtuara në tregun e një dite përpara u rritën me 46,2% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025, duke shënuar ritmin më të lartë të rritjes ndër katër bursat e energjisë të përfshira në raport.
Në nivel rajonal, vëllimet e tregtuara u rritën me 26,7%, duke arritur në rreth 2,97 TWh.
Rriten shkëmbimet tregtare të energjisë me Greqinë
Në shkëmbimet ndërkufitare me Greqinë, importet e programuara tregtare drejt Shqipërisë arritën në 479 gigavatorë (GWh), nga 380 GWh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Edhe eksportet e programuara nga Shqipëria drejt Greqisë shënuan rritje, duke arritur në 166 GWh, nga 39 GWh një vit më parë.
Megjithatë, flukset fizike të energjisë paraqitën një ecuri të ndryshme nga shkëmbimet tregtare të programuara.
Energjia që kaloi fizikisht nga Greqia drejt Shqipërisë arriti në 612 GWh, nga 637 GWh në tremujorin e tretë të vitit 2025. Ndërkohë, flukset fizike në drejtimin Shqipëri-Greqi mbetën pothuajse të pandryshuara, në 42 GWh, nga 43 GWh një vit më parë.
Sekretariati i Komunitetit të Energjisë sqaron se dallimet ndërmjet shkëmbimeve tregtare të programuara dhe flukseve fizike janë pjesë e funksionimit të rrjeteve të ndërlidhura, pasi lëvizja reale e energjisë nuk ndjek domosdoshmërisht programet tregtare dypalëshe.
Raporti thekson gjithashtu se ndryshimet e çmimeve dhe shkëmbimeve ndërkufitare nuk mund t'i atribuohen vetëm mekanizmit CBAM, pasi ato ndikohen edhe nga prodhimi i energjisë, kërkesa në treg dhe kapacitetet e disponueshme të transmetimit.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)